Pse Gjermania e dëshiron një vend në Këshillin e Sigurimit të OKB-së?

Delegacioni i Gjermanisë po kalon me vështirësi përmes trafikut të dendur të New Yorkut: veturat i bien borive, dëgjohen sirena dhe kalimtarët ankohen.
Në fund, ministri i Jashtëm gjerman arrin në Kombet e Bashkuara vetëm pak minuta para takimit të planifikuar.
Johann Wadephul ndodhet në zemër të një institucioni 80-vjeçar, në organin e tij më të fuqishëm – Këshillin e Sigurimit.
Fjala e tij treminutëshe i kushtohet sigurisë detare, pasojave të dëmshme të luftës në Iran dhe veçanërisht mbylljes së Ngushticës së Hormuzit. Pas fjalimit, Wadephul ulet në tavolinën e famshme në formë patkoi të Këshillit të Sigurimit. Megjithatë, pak më vonë i kërkohet të zhvendoset në rreshtat e pasmë, pasi Gjermania nuk është anëtare e Këshillit të Sigurimit — të paktën jo ende.
Pse është sërish Wadephul në New York?
Misioni i ministrit të Jashtëm gjerman është që ta rikthejë vendin e tij në atë tryezë për një mandat dyvjeçar, 2027 dhe 2028. Kjo nuk do të ishte hera e parë: Gjermania (dhe ish-Gjermania Perëndimore) ka qenë anëtare jo e përhershme e Këshillit gjashtë herë. Ish-Gjermania Lindore një herë.
Anëtare të përhershme janë SHBA-ja, Kina, Rusia, Franca dhe Mbretëria e Bashkuar. Ato kanë të drejtën e vetos në Këshillin e Sigurimit.
Në një intervistë ekskluzive për DW, Wadephul shprehu optimizëm të kujdesshëm për shanset e Gjermanisë se “do të thosha se shanset janë të mira, por kjo është një garë dhe një demokraci”, thotë ai.
“Mund të fitojmë. Mund të humbasim. Të dyja janë të mundshme. Kemi argumente të mira. Jemi aktivë në botë. Jemi të përfshirë në sistemin e OKB-së”, shtoi ministri.
Si fitohen vendet jo të përhershme në Këshillin e Sigurimit të OKB-së?
Nga dhjetë vendet jo të përhershme në Këshillin e Sigurimit, pesë caktohen përmes zgjedhjeve që mbahen në qershor. Nëse Gjermania synon një prej tyre, ajo duhet të sigurojë shumicën prej dy të tretash të 193 shteteve anëtare në një votim të fshehtë.
Fushata nuk është kurrë e thjeshtë — ka shumë faktorë të ndryshueshëm, aleanca dhe kërkesa që duhen balancuar. Këtë herë situata është edhe më e ndërlikuar, pasi Gjermania e ka shpallur kandidaturën relativisht vonë. Një grup shtetesh të Evropës Perëndimore dhe vende të tjera tashmë janë pajtuar më herët për Austrinë dhe Portugalinë, ndaj mbështetja për Gjermaninë duhet të vijë nga rajone të tjera.
Wadephul duket se po mbështet shpresat e tij te grupi afrikan, blloku më i madh në OKB me 54 vota. Gjatë një vizite 29-orëshe në New York janë planifikuar takime të shumta dypalëshe, ndërsa një takim i veçantë do të zhvillohet me përfaqësuesit e Bashkimit Afrikan.
